Ish-bashkëpunëtori i bashkëshortes së Sllobodan Millosheviç, Aleksandër Vulin është zgjedhur drejtor i Zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë.

Emërimi i Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste, është bërë nga këshilli kryesor i Partisë Progresiste Serbe, e drejtuar nga presidenti Tomisllav Nikoliç.

Ka qenë pikërisht këshilltari i këtij të fundit, Marko Gjuriç, që ka konfirmuar lajmin për mediat serbe.

Sipas raportimeve të së përditshmes serbe “Danas”, në ditët e fundit ka pasur shumë diskutime mes Partisë Socialiste dhe asaj Progresiste për zgjedhjen e kryetarit të kësaj zyre.

Socialistët kishin propozuar për këtë post zyrtarin e Ministrisë për Kosovën, Zvonko Steviç, ndërsa progresistët ishin në favor të kreut ilegal të komunës së Mitrovicës, Kërstmir Pantiç dhe Aleksandër Vulin.

Ky i fundit siguroi mbështetjen e duhur dhe do të drejtojë Zyrën për Kosovën, që do të zëvendësojë Ministrinë për Kosovën, e cila me formimin e qeverisë së re do të shkrihet.

Vulin ka qenë një prej themeluesve të JUL-së, siç njihet ndryshe e majta jugosllave, e drejtuar nga bashkëshortja e Millosheviç, Mira Markoviç. Në këtë grupim Vulin kishte funksionin e nënkryetarit dhe atë të zëdhënësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA