Teksa trupi i pajetë i poetit të njohur kosovar Ali Podrimja ende nuk është kthyer nga Franca në Kosovë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbajti një mbledhje komemorative në nder të tij.

Për të nderuar jetën dhe veprën e poetit, mbledhja komemorative filloi me një minutë heshtje. Ndërkohë, trupi i pajetë i poetit të njohur kosovar do të kthehet në Kosovë të mërkurën, më 25 korrik.

Kryetari i akademisë, Hivzi Islami tha se vepra e Podrimjes dhe trashëgimia që ai la pas e bëjnë atë të pavdekshëm.

“Aliu përmes poezisë ishte krejtësisht orgjinal. Një njeri që diti të skaliste parimet e qëndresës dhe mbijetesës, duke afirmuar popullin shqiptar në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Islami.

Për jetën dhe veprën e poetit Ali Podrimja foli edhe akademiku Rexhep Ismajli. Ai tha se, për poezinë e Podrimjes kanë shkruar kritikë e studiues të shumtë shqiptarë dhe të huaj.

“Krejt papritur ai u nda nga ne dhe iku të bashkohet me grupin e tij të dashur, që vdekja padrejtësisht ia mori, por që ai pastaj e rriti dhe e suprimoi në prodhimtarinë e tij”, tha Ismajli.

Në këtë mbledhje komemorative, ku morën pjesë figura të ndryshme të jetës politike, diplomatike dhe kolegë të shumte të poetit Podrimja, u bë e ditur se Akademia e Shkencave do të përkujdeset për botimin e veprës së tij të plotë.

Ali Podrimja u gjet i vdekur në një pyll të Francës, diku rreth 4 kilometra në vijë ajrore nga qendra e qytetit Lodeve, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një festival të poezisë.

Top Channel