
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përjashton mundësinë e hyrjes në koalicion qeverisës nëse kryeministër i Kosovës mbetet Hashim Thaçi. Ky subjekt politik dëshiron përgjegjësi të plota në qeveri në të cilën kryetar i saj do të ishte vetëm Ramush Haradinaj.
Në këtë mënyrë nënkryetari i AAK-së hedh poshtë konkluzionet e shoqërisë civile se në shtator Kosova do të ketë një përbërje të re qeverisëse nga e cila do të përjashtohej AKR-ja e Pacollit dhe do të futej AAK-ja e Haradinajt.
“Nuk ka ofertë konkrete, nuk ka veprime të cilat do të conin tek një koalicion i mundshëm. Kriza që ekziston në koalicionin qeverisës ka lënë hapësirë që të ketë komente të tilla. Qendrimi i AAK-së është ai që ka qenë edhe më parë; me Hashim Thaçin kryeministër ne nuk hyjmë në qeveri. Kjo është e gjitha!”, deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.
Debati për një formulë të re qeverisëse zhvillohet për shkak të sfidave me të cilat mund të përballet klasa politike në të ardhmen, siç është zgjidhja e problemit të veriut.
Kryeministri i Kosovës është cituar nga burimet ndërkombëtare të ketë thënë se nuk mund ta përballojë zgjidhjen e problemit të veriut vetëm me Behxhet Pacollin në qeveri. Por diçka e tillë mohohet nga nënkryetarja e partisë së Pacollit, Mimoza Kusari Lila. Ajo mban edhe pozitën e zëvendëskryeministrës në qeverinë e Kosovës dhe thotë se koalicioni aktual është i gatshëm të përballet me çfardo sfide që i del përpara.
“Në mes të partnerëve të koalicionit, asnjëherë nuk është diskutuar ndryshimi i partnerëve në koalicion. Në fakt vetë kryeministri ka përgënjeshtruar këto zëra. Mund të them se në secilën cështje që jemi ballafaquar e kemi tejkaluar me sukses. Natyrisht ka cështje madhore që kërkohet edhe konsensusi i opozitës. Zgjidhja e veriut është një prej këtyre, por ka edhe cështje të tjera madhore ku edhe opozita ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive”, deklaron Lila.
Është Partia Demokratike e kryeminsitrit Hashim Thaçi ajo e cila është
më e rezervuar të deklarohet rreth kësaj teme. Dy nga zyrtarët e kësaj
partie, Hajredin Kuçi si nënkryetar dhe Blerand Stavileci si zëdhënës,
thanë se nuk mund të flasin për këtë temë.
Ndërkaq, edhe shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci nuk i përgjigjet interesimit të medias. Jashtë përllogaritjeve për të qenë pjesë e qeverisë mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po kështu ka zgjedhur heshtjen përballë krijimit të një qeverie të re për zgjidhjen e problemit në një pjesë të territorit.
Top Channel