Dy super operacione janë zhvilluar prej autoriteteve greke në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Mesditën e së dielës, roja bregdetare greke mundi të bllokojë një gomone me 1 ton kanabis në bord në veri-lindje të ishullit Itakë në detin Jon.
Sipas autoriteteve, ngarkesa e kanabisit ishte ngarkuar në brigjet shqiptare dhe nëpërmjet Kanalit të Korfuzit, po dërgohej në ishullin Qefalonia, ku dhe do të shpërndahej në tregun e narkotikëve.
Roja bregdetare greke njoftoi se po kërkon dy transportuesit e lëndës narkotike të cilët mundën të braktisin gomonen me ngarkesën e drogës, për t’u larguar me vrap në brendësi të ishullit jonian.
Policia thotë se ka të bëjë me të njëjtën organizatë që pak muaj më parë tentoi të trafikonte me të njëjtën mënyrë 1.2 ton kanabis në afërsi të Patras, 200 kilometra larg Athinës.
Më herët, drejtoria e policisë greke njoftoi se i dha një goditje të rëndë prodhimit të kanabisit në vend.Në tre operacione të kryera në Larisa,Kallamata dhe Rethymno,autoritetet shkatërruan mijëra rrënjë kanabis.
Policia shkatërroi në Larisa 4000 rrënjë kanabis, vlera e së cilës i kalonte 12 milionë euro. Në këtë aksion u arrestuan tre grekë dhe roja i parcelës, një shtetas shqiptar.
Ndërkohë në Kallamata u shkatërruan 1200 rrënjë dhe u vu në pranga kultivuesin grek. Aksioni i zhvilluar në zonën malore në ishullin e Kretës, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, pasi kultivuesi grek dhe një shtetas shqiptar 24-vjeçar, bashkëpunëtori i tij, hapen zjarr mbi policinë, e cila u përgjigj duke e lënë të plagosur rëndë 24-vjeçarin shqiptar.
Policia sekuestroi 911 rrënjë të lëndës narkotike si dhe një armë zjarri.
Top Channel