“FMN do të bllokojë Greqinë”

22/07/2012 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar synon të bllokojë ndihmën ekonomike për Greqinë.  Revista e përjavëshme gjermane “Der Spiegel” shkruan se eksponentët e lartë të FMN-së ua kanë komunikuar këtë autoriteteve të Brukselit, me pasojën e një falimentimi të mundshëm të Athinës në muajin shtator.

Aktualisht “Trojka” e përbërë nga BE, FMN dhe BQE po mbikëqyr mënyrën se si Athina po zbaton programin e reformave për të cilin është rënë dakort, por sipas Der Spiegel, është e qartë që qeveria greke nuk do të mundet të reduktojë brenda 2020 borxhin publik në 120 % të produktit kombëtar bruto.

Nëse Greqisë do t’i lihej në dispozicion më shumë kohë, kjo do të shkaktonte sipas “Trojkës”, një derdhje më të madhe, nga 10 deri në 50 miliardë euro, që shumë vende të Eurozonës nuk janë në gjendje ta japin.

I shtohet kësaj edhe kushti i vendosur nga Holanda dhe Finlanda. Sipas tyre, për të marrë pjesë në ndihmën për Greqinë, edhe FMN duhet të ketë pjesën e saj. “Der Spiegel” shkruan që sipas opinionit të vendeve të Eurozonës, një dalje e Greqisë nga Euro do të ishte plotësisht e kontrollueshme.

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ky lajm nuk është konfirmuar, por as përgënjeshtruar.

Top Channel