
Policia Bullgare është sinjalizuar për mundësinë e përfshirjes së një terroristi të dytë në sulmin me bombë që vrau pesë turistë izraelitë në qytetin e Burgasit gjatë javës.
Lajmi u përcoll të dielën nga “CNN”, rrjeti amerikan i informacionit që citoi një burim “të besueshëm” në sferat e larta të Ministrisë së Brendshme Bullgare.
Ndërkohë, hetuesit kanë arritur të konfirmojnë se shpërthimi i ndodhur gjatë javës u realizua si rrjedhojë e një sulmi vetvrasës, i një militanti islamik, të kapur edhe në kamerat e sigurisë së aeportit, disa minuta përpara shpërthimit.
Disa dëshmitarë të pranishëm pranë vendngjarjes arritën të identifikonin edhe një person tjetër, një mashkull me tipare arape dhe një theks amerikan në anglishten e folur, që ndodhej në zonë kur ndodhi atentati.
Kjo ka bërë që policia të vendoset në kërkimin e një bashkëpunëtori, që duket se ka asistuar në sulmin që i kushtoi jetën në total tetë personave.
Sipas Izraelit, është organizata terroriste libaneze e Hezbollahut dhe Irani ata që fshihen pas kësaj ngjarje.
Një sulm terrorist në Ballkan ka rritur alarmin në vendet e rajonit, njëkohësisht që Shërbimet Sekrete të Greqisë kanë paralajmëruar mbi mundësinë e sulmeve të reja në të ardhmen e afërt.
Top Channel