
Bashar al Assad ndodhet ende në Damask. Këtë e konfirmon Izraeli duke deklaruar më pas se pavarësisht dezertimeve në masë, presidenti sirian gëzon ende besimin e ushtrisë përballë rebelimit.
Këtë e deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Yoav Mordechai i cili në një intervistë për mediat vendase tha se Assad gëzon ende mbrojtjen e ushtrisë, pavarësisht se rebelët kanë avancuar goxha në disa lagje të kryeqytetit Damask.
Ndërkohë, në vend raportohen luftime të ashpra në dy qytetet më të mëdha, Damask dhe Alepo. Sic njoftojnë mediat ndërkombëtare, rebelët mbajën ende fort disa nga zonat periferike të kryeqytetit, ndërsa në qytetin e dytë më të madh, Alepo luftimet janë rindezur mes ushtrisë së Assad dhe rebelëve.
Situata e sigurisë është përkeqësuar dhe organizatat ndërkombëtare flasin për 40 viktima të regjistruara vetëm ditën e dielë. Opozita thotë se vazhdon të mbajë nën kontroll pjesën më të madhe të pikave kufitare të vendit, ndërsa media shtetërore e Assad raporton për beteja të fituara nga ushtria kundër “bandave terroriste”.
Në rrafshin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bëjnë thirrje për një ndërhyrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Uashingtoni ka lënë mënjanë, të paktën për momentin, përpjekjet diplomatike dhe administrata Obama është vendosur e gjitha në punë duke dyfishuar ndihmat për opozitën e armatosur.
Sic raporton New York Times, Shtëpia e Bardhë po konsultohen me Turqinë dhe Izraelin për shtimin e ndihmës me armë dhe logjistike për opozitën dhe për “dhënien e goditjes finale” Bashar al Assad.
Top Channel