Është gjetur në Francë trupi i pajetë i poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja, i cili prej disa ditësh konsiderohej si person i humbur.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave me të gjetur trupin, autoritetet franceze kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës se poeti kishte ndërruar jetë.

Sipas raportimeve të “RTK”, autoritetet franceze po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ndarjes nga jeta të poetit të mirënjohur.

Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e tij që prej datës 18 korrik, kur po merrte pjesë në festivalin e poezisë “Zëri i Mesdheut” që po zhvillohej në qytetin Lodeve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh i tronditur nga kjo humbje dhe i bëri menjëherë ngushëllimet e tij familjes së poetit, komunitetit të shkrimtarëve dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit me famë ndërkombëtare Ali Podrimja është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e madhe edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë”, është shprehur Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare, në telegramin e tij ka vlerësuar se, kujtimi i Podrimjas do të mbetet gjithnjë i gjallë dhe do të shërbejë si motivim për brezat e ardhshëm të Kosovës.

Autoritetet: Pa shenja dhune në trup

Autoritetet franceze, pas gjetjes së trupit të poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja, kanë njoftuar pas ekspertizës së parë se shkrimtari nuk kishte shenja dhune në trup.

Organizatorët e festivalit ku i ndjeri merrte pjesë, “Zëri i Mesdheut”, kanë shprehur ndërkohë hidhërimin e tyre duke vlerësuar se, Podrimja ishte një nga figurat më të mëdha të poezisë bashkëkohore shqiptare.

Podrimja, i lindur në Gjakovë në vitin 1942, ka botuar mbi 20 libra me poezi, disa prej të cilëve janë botuar edhe në vende të Evropës, si në Francë, Gjermani e Itali.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “AFP”, kontakti i fundit mes organizatorëve të festivalit dhe poetit kishte qenë të mërkurën në mëngjes, pas një ligjërate të mbajtur të martën. 

Reagojnë Thaçi, Jahjaga e Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar nëpërmjet një telegrami familjen e të ndjerit Ali Podrimja dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Vdekja e poetit Ali Podrimja është një humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thuhet në fillim të telegramit të ngushëllimit.

Më tej kryeministri thekson se: “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të përjetshme në kulturën tonë kombëtare”.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në telegramin e tij të ngushëllimit shprehet “i tronditur” nga vdekja e poetit të mirënjohur kosovar.

“Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve, pasi Ali Podrimja ishte një krijues me dhunti të veçanta, një poet që i kishte kapërcyer kufijtë nacionalë, duke u bërë vlerë e artit të përbotshëm”, thotë Mustafa.

Duke shprehur ngushëllime në emrin e tij dhe të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, Mustafa thekson më tej se: “Podrimja ishte dhe do të mbetet emblemë e poezisë kosovare, por edhe të asaj shqiptare në përgjithësi”.

Edhe presidentja Atifete Jahjaga i ka dërguar telegramin e saj të ngushëllimit famlijes së poetit të ndjerë, në të cilin shpreh trishtimin dhe dhembjen e thellë.

“Humbja e Ali Podrimjas nuk është një humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Ajo është një humbje e madhe për të gjithë qytetarët, kulturën, artin dhe Kosovën në përgjithësi”, thotë Jahjaga në mesazhin e saj.

Kryetarja e shtetit e vlerëson poetin si një intelektual të madh, që me fjalët dhe veprat e tij kalojë përtej kufijve të Kosovës, duke u bërë i njohur edhe më gjerë dhe duke afruar Kosovën me botën. 

Akademia e Arteve: Podrimja, zëri i Kosovës

Edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës i ka dërguar mesazhin e saj të ngushëllimit familjes së poetit Ali Podrimja.

“Me tronditje të thellë mësuam lajmin për vdekjen e parakohshme të poetit emblematik të letërsisë shqipe, akademikut Ali Podrimja”, thuhet në mesazh.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, për miqtë e tij të shumtë, për lexuesit që e çmuan dhe e donin, për Akademinë dhe për të gjitha institucionet e Kosovës”, vlerësohet më tej në të.

Në telegramin e ASHAK theksohet se: “Vargu i tij ‘Kosova është gjaku im që nuk falet’, e thotë atë që nuk e tha askush tjetër për popullin dhe vendin e tij”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA