
Prej dy ditësh nuk dihet asgjë për vendndodhjen e poetit të njohur nga Kosova, Ali Podrimja, i cili kishte shkuar në Paris në Francë në një festival të poezisë. Mësohet se familja e poetit Podrimja ka kontaktuar më 18 korrik ambasadën e Kosovës në Paris dhe e kanë njoftuar atë se nuk dinë gjë për familjarin e tyre i cili ndodhej në qytetin Lodève.
Artan Behrami, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se ambasada e Kosovës në Paris ka kërkuar menjëherë nga autoritetet franceze që të ndërmerret gjithçka është e mundur për të identifikuar vendndodhjen e poetit Podrimja.
Behrami ka thënë për Top Channel se Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj i është konfirmuar nga autoritetet franceze se kanë aktivizuar policinë lokale dhe nacionale dhe është siguruar që do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet dhe mundësitë për gjetjen e vendndodhjes së poetit Ali Podrimja.
Behrami i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë dhe francezë që gjenden në Francë të njoftojnë Ambasadën e Kosovës në Paris, Ministrinë e Punëve të Jashtme ose autoritetet franceze nëse kanë ndonjë informatë në lidhje me këtë.
Podrimja mbahet nga kritika letrare si përfaqësuesi më i denjë i poezisë shqiptare.
Top Channel