Sllovakia ka vendosur të njohë pasaportat e shtetit të Kosovës, duke lëvizur kështu drejt njohjes së pavarësisë së saj.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, sipas të cilës në radhët e qeverisë sllovake ekziston vullneti për të zbutur qëndrimin karshi Kosovës.

Duke cituar burime diplomatike, gazeta shkruan se, Sllovakia asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht kundërshtimin e pavarëisë së Kosovës.

“Vendimi për njohjen e pasaportave pritet të publikohet zyrtarisht brenda pak javësh. Ai vjen si rezultat i angazhimit të Ministrisë së Jashtme dhe shteteve që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës”, shkruan gazeta.

E përditshmja ka kontaktuar shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Henrik Markus, por nga ky i fundit nuk ka marrë një përgjigje pozitive lidhur me informacionet e saj.

“Nuk mund të konfirmoj një vendim të tillë. Unë kam qenë me pushime. Sapo jam kthyer kam kontrolluar njoftimet, por nuk kam parë ndonjë vendim të tillë”, ka thënë Markus.

Lajmin nuk e ka konfirmuar as Ministria e Punëve të Jashtme. Zëdhënësi i saj, Artan Behrami ka thënë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar për ndonjë veprim të tillë.

Megjithatë, “KD” shprehet e vendosur se diplomatë të caktuar kanë konfirmuar këto plane të qeverisë sllovake, të cilat tashmë kanë marrë jetë dhe do të ndiqen nga veprime analoge të shteteve të tjera të BE që s’e kanë njohur pavarësinë.

Top Channel