OKB zgjat misionin vëzhgues në Siri

20/07/2012 00:00

Këshilli i Sigurimit i OKB-së zgjati me 30 ditë misionin vëzhgues në Siri në një përpjekje për të monitoruar planin e dështuar tashmë të paqes.

Diplomatët ndërkombëtarë thanë se nëse situata në Siri përkeqësohet në të tilla kushte sa të rrezikohet seriozisht jeta e vëzhguesve ndërkombëtarë, atëherë do të merret vendimi për tërheqjen e tyre nga terreni.

Vendimi mbërrin në një situata aspak optimiste për paqe në terren me luftimet e ashpra mes forcave qeveritare dhe rebelëve në kryeqytetin Damask. Këta të fundit raportojnë se përvec kontrollit në disa lagje periferike të kryeqytetit kanë nën kontroll edhe pikat kufitare me Turqinë dhe Irakun.

Dhjetëra mijëra braktisin vendin në 48 orë

Me mijëra sirianë refugjatë lufte po dynden në kufi me vendet fqinje,
ndërsa lufta midis ushtrisë së rregullit dhe kryengritësve ashpërsohet
dita ditës. 

Sipas vlerësimeve të Agjensisë së Refugjatëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 30 mijë persona kaluan kufirin për në Liban gjatë 48 orëve të fundit.

Këshilli i Sigurisë në OKB vendosi të premten që të shtyjë misionin e tij të vëzhgimit në Siri edhe me një muaj përfundimtar.

Ndërkohë, përleshjet kanë vazhduar në kryeqytetin Damask, ku ushtria është duke realizuar një mësymje në lagjen periferike të Midanit.

Televizioni Shtetëror raportoi se “zona e Midanit është spastruar nga terroristët”. Kryengritësit gjithashtu konfirmuan se bënë një “tërheqje taktike” nga zona, si rrjedhojë e bombardimit të vazhdueshëm.

Gazetarët u lejuan të hynin në lagje në fundjavë, ndërsa fotografitë treguan shkatërrime masive, kufoma që dergjeshin në rrugë dhe trupa tankesh e makinash të shkrumbuara.

Sipas raportimeve të fundit, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, Alepo. Rreth 18 mijë persona kanë humbur jetën deri tani në 16 muajt e luftës civile, vlerëson OKB.

Top Channel