Spanja e mbytur në borxhe mori një hua të re prej 2,98 miliardë eurosh në tregje gjatë së enjtes, duke paguar interesa rekord, pothuajse në normën limit të konsideruar si brenda mundësive të pagimit prej ekspertëve.
Interesi në letrat spanjolle me vlerë me afat maturimi 5-vjeçar u rrit në 6,46%, nga 6,07% në blerjen e fundit të borxhit, një muaj më parë.
Ndërkohë, një rritje drastike pësuan edhe interesat për bonot e thesarit me afat maturimi 7-vjeçar, që u rritën në 6,7%, nga 4,83% herën e fundit.
”Spanja arriti të merrte borxhin për të cilin kishte nevojë, por ky është i vetmi lajm i mirë nga transaksionet e ditës së sotme”, deklaroi eksperti Marc Osëald për “BBC”.
Shtrenjtimi i interesave për kredinë spanjolle është ndikuar nga disa faktorë, që përfshijnë humbjen e besimit në aftësinë e Madridit për të dalë shpejt nga kriza, mungesën e një veprimi të përbashkët nga vendet e Eurozonës dhe frika për përshkallëzimin e krizës brenda zonës së monedhës së përbashkët europiane.
Gjithashtu, debati në Gjermani nëse shtrëngimi i kontrollit fiskal bie ndesh apo jo me kushtetutën ka ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje.
Aktualisht, me një normë prej 24%, Spanja përballet me numrin më të lartë të papunësisë në BE dhe një prej defiçitëve më të lartë buxhetorë, që e bëjnë vendin të jetë veçanërisht i rrezikuar nga kriza aktuale.
Top Channel