SHBA publikon “listën e zezë” të shteteve

19/07/2012 15:50

Qeveria e Shteteve te Bashkuara publikoi ditën e enjte raportin e përvitshëm mbi gjendjen e sigurisë në botë, duke i bërë njëkohësisht thirrje shtetasve të saj që të shmangin vizitat në vendet e përfshira në “listën e zezë”.

”Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme ndaj interesave të SHBA-ve në disa rajone të ndryshme të planetit, përfshi Europë, Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme”, shkruhej në deklaratën e publikuar nga Zyra Shtetërore e Punëve Konsullore.

Në dokument, i kërkohej shtetasve amerikanë që të tregoheshin veçanërisht të kujdesshëm në përzgjedhjen e mjeteve të tyre të transportit, me transportin detar dhe atë lumor të konsideruar si më të rrezikshmin, sidomos në Afrikë dhe pranë brigjeve somaleze.

Ndërkohë, “lista e zezë” e shteteve që nuk këshillohet të vizitohen përfshin Jemenin, Somalinë, Algjerinë, Pakistanin, Arabinë Saudite, Republikën e Afrikës Qëndrore, Afganistanin, Sirinë, Kolumbinë, Meksikën, Kenian, zona të ndryshme në Izrael, Pakistan, Kore e Veriut e disa shtete të tjera, për një total prej 30 vendesh.

Në listën e gjatë të destinacioneve të rrezikshme, përfshiheshin edhe disa aktivitete të rëndësishme sportive, zona rezidenciale, zyra biznesi, hotele, restorante, vende fetare, shkolla, zona publike dhe destinacione të tjera turistike me rrezikshmëri të lartë, në vende të ndryshme në planet.

Departamenti gjithashtu këshillonte shtetasit amerikanë që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në programin e “Udhëtimit të Zgjuar”, i cili i jep autoriteteve mundësinë që të kontaktojnë shtetasit, në situata rreziku apo urgjencash të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA