Myftiu i Kosovës Naim Terrnava uroi besimtarët myslimane për muajin e shenjte të ramazanit. Duke u dëshiruar agjërim të lehtë, Tërrnava kërkoi nga besimtarët islam të luten që sa më parë të marrin fund luftërat e konfliktet në mënyrë që njerëzit të jetojnë në paqe e harmoni.
Naim Terrnava, Myfiu i Kosovës:
“Nesër, besimtarët myslimanë nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj kam nderin, kënaqësinë, e privilegjin që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju drejtohen me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Zoti ynë”.
Tërrnava më tej ka shtuar se Ramazani është muaj që kultivon paqen, mirëqenien, dashurinë e respektin. Është muaj i pendimit, e reflektimit, parime këto për të cilat bota e njerëzimi kanë nevojë më së shumë se kurrë.
Naim Terrnava, Myfiu i Kosovës:
“Jemi dëshmitarë që në shumë vende nëpër botë kemi trazira, lufta, e konflikte, ku me mijëra njerëz, kryesisht gra, fëmijë e pleq të pafajshëm bien viktima të luftës, e me mijëra të tjerë janë të rrezikuar që të përjetojnë të njëjtin fat. Ne, në këtë muaj të madh, në këtë muaj të mëshirës, në këtë muaj të solidaritetit, lutemi që sa më parë të marrin fund luftërat e konfliktet, që njerëzit të jetojnë në paqe e harmoni, lutemi për popullin e Sirisë që sa më parë t’u bashkohet popujve e shoqërive të lira”.
Me tej, Tërrnava tha se Ramazani i sivjetëm ka një rëndësi të veçantë, sepse është viti jubilar i pavarësisë së shqiptarëve, prandaj ka kërkuar nga të gjithë që të njohim kontributin dhe flijimin e brezave që sakrifikuan për pavarësi.
Urime për muajin e shenjtë të Ramazanit për të gjithë besimtarët islam kanë dërguar pothuajse të gjitha partitë politike dhe jo vetëm.
Top Channel