Një hetim i ri është hapur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për vdekjen e ish-Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Dag Hammarskjold, në vitin 1961.
I konsideruar nga presidenti John F. Kennedy si burri i shtetit më vizionar i shekullit dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin që ndërroi jetë, suedezi mbeti viktimë e një aksidenti ajror në Afrikë, i mbetur deri më sot në një prej mistereve më të mëdha të pazbardhura të historisë.
Një hetim në vitin 1962 nuk arriti të identifikonte asnjë arsye për përplasjen e avionit që transportonte diplomatin suedez në Kongo, por të dhëna të reja kanë dalë në dritë dhe disa prej tyre përforcojnë dyshimet se vdekja e tij mund të mos ketë qenë aksidentale, por një vepër e një agjenture të huaj.
Hammarskjold ishte duke udhëtuar në një prej rajoneve më të rrezikshëm të planetit për të ndërmjetësuar një armëpushim në krahinën e pasur me minerale të Katangës, ku separatistët rebelë të Moise Tshombes, u rebeluan ndaj qeverisë komuniste të mbëshetur nga Bashkimi Sovjetik.
Deri më sot, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mbetet personi i vetëm i historisë që është nderuar me çmimin Nobel për Paqen pas vdekjes.
Ai mbahet mend gjithashtu për vendosjen e misionit të parë paqeruajtës të armatosur me trupa të OKB-së, pas krizës së Suezit në Egjipt, në vitin 1957.
Top Channel