Punëtorët e gjigandit metalurgjik Trepça prej të martës kanë ndërprerë punën e tyre të përditshme. Ata kanë lënë horizontet e minierës dhe jashtë tyre kanë filluar grevën.

Greva e minatorëve të Trepçës ka ardhur pas emërimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në postin e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Trepçës të Eset Ujkanit.
 
Javën e kaluar dha dorëheqjen nga ky post Ferat Shala, me arsyetimin e angazhimit akademik.
 
Përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve kanë tri kërkesa të cilat presin të përmbushen. Ata kundërshtojnë emërimin e Eset Ujkanit në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, dhe deri në zgjedhjen e menaxherit të ri sipas tyre duhet të emërohet dikush nga njohësit e minierave, duke përmendur emrat e Halil Qelës, Beqir Maliqit ose të Miftar Hysenit.
 
Po ashtu, ata kërkojnë ardhjen e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në këtë vend për t’iu treguar se çfarë do të ndodhë me Trepçën; dhe po ashtu edhe ndonjë zyrtarë të Qeverisë dhe ish-drejtorin Ferat Shala.
 
Sipas Nezir Behramit, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve, nëse këto kërkesa nuk përmbushen deri në përfundim të ditës së mërkurë, do të diskutohet ndryshimi i formës së protestës.
 
“Do të presim edhe sot. Kemi informata se janë duke punuar në atë drejtim. Nëse nuk marrim përgjigje atëherë do të shqyrtojmë se cfarë do të bëjmë më tutje. Brenga jonë kryesore është se dikujt po i pengon puna që po zhvillohet në Trepçë. Dikujt po i pengojnë rezultatet që po jepen në Trepçë, edhe me një nguti kaq të madhe do që të bëjë një destabilizim të Trepçës dhe të çojë në falimentim apo privatizim, që për ne është e papranueshme”, tha Nezir Behrami, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve “Trepça”.
 
Sipas Behramit janë mbi 700 punëtorë që kanë ndërprerë punën, dhe se atyre u janë bashkangjitur edhe minatorët e Artanës dhe Kishnicës.
 
Pas kësaj situate të krijuar Agjencia Kosovare e Privatizimit nëpërmjet një deklarate për media thuhet se “shpreh shqetësimin e saj për grevën e organizuar nga grupe punonjësisht në ndërmarrjen shoqërore Trepça, nën administrimin e AKP-së”.
 
AKP sqaron se “emërimi i drejtorit të ri, do të bëhet përmes një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues, ku intervisitmin e kandidatëve do ta bëjë Komisioni i formuar prej përfaqësuesve të AKP-së, Qeverisë dhe përfaqësuesve të punëtorëve të Trepçës”.
 
AKP u ka bërë thirrje punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje që të vazhdojnë punën dhe të përmbushin detyrat dhe obligimet duke respektuar kontratat e tyre të punës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA