
Një një intervistë për Radiona Europa e Lirë, kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shprehu edhe njëherë tjetër qendrimin e tij kundër dialogut me Serbinë e cila sipas tij po mundohet të zbatojë në Kosovë të njëjtat politike që zbatoi në Bosnje.
Zoti Kurti i bëri thirrje edhe Brukselit që të mos nxisë një dialog të tillë dhe të ndryshojë qasje karshi Kosovës e të mos shohë për zgjidhe stabilizuese afatshkurtëra.
“Synimi i Beogradit është sajimi i një entiteti territorial autonom në veri të Kosovës, nëpërmjet të cilit do të mund ta bënte Kosovën një shtet jofunksional dhe së shpejti edhe shtet të dështuar. Kjo nuk duhet të lejohet kurrsesi dhe mendoj që është koha e fundit që Brukseli të bëjë një tërheqje strategjike, të mendojë dhe të rimendojë për qasjen që e ka pasur në Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht për Kosovën e Serbinë, ta ndryshojë paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik drejt demokracisë, zhvillimit dhe drejtësisë. Brukseli do të duhej të mos udhëhiqej nga logjika gjeopolitike afatshkurtër, por nga nevoja e popujve, kombeve, shteteve që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian mbi parimet e lirisë, barazisë dhe drejtësisë”, tha Kurti.
Kurti ka kritikuar edhe marrëveshjen e vitit të kaluar mes AKR-së, PDK-së dhe LDK-së, marrëveshje që solli në postin e presidentes, Atifete Jahjagën. Kjo marrëveshje, tha kreu i VV-së ishte mbi-institucionale dhe aktualisht s’mund të zbatohet.
Top Channel