Shoqata e Universiteteve Europiane shpërndau 74 diploma të certifikuara për studentët e Kosovës sipas marrëveshjes së arritur në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Kjo u bë e ditur të enjten nga zyra e BE-së në Prishtinë. Në një komunikatë thuhet se diplomat e lëshuara nga Shoqata e Universiteteve Europiane (EUA) do të lehtësojnë lëvizjen dhe zhvillimin e karrierës për zotëruesit e tyre.

Kjo lehtëson situatën e të diplomuarve nga institucionet e Kosovës të cilët dëshirojnë që të studiojnë dhe punojnë në Serbi, si dhe të atyre të diplomuarve nga Serbia që dëshirojnë të studiojnë dhe punojnë në Kosovë.

Kjo nënkupton se të diplomuarit që dëshirojnë të vijojnë më tutje programet arsimore dhe/ose të kërkojnë punësim në administratë publike në të dyja këto vende, tani mund t’i dorëzojnë diplomat e tyre, bashkë me certifikatën e EUA-së në universitetin e tyre të përzgjedhur.

Universiteti në fjalë më pas do të lëshojë një konfirmim për pranim, me anë të të cilit të diplomuarit ose mund të regjistrohen në programe akademike ose të aplikojnë për ndonjë pozitë në administratë publike.

Në komunikatë citohet shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar të ketë thënë se: “Pranimi i diplomave është zgjidhje për këta persona, në të dyja vendet, të cilat po ballafaqoheshin me pengesa për të pasur qasje në punësim dhe për të pasur mundësi në zhvillimin e karrierës për shkak të mospranimit të diplomave”.

Ndërkaq sipas ministrit kosovar të Arsimit, Ramë Buja, ky hap eliminon përfundimisht një pengesë sa i përket njohjes së diplomave ne tërë fushën e arsimit të lartë europian.

 “EUA është pajtuar që të ndihmojë në këtë proces të certifikimit, meqë ne besojmë se ky hap është në të mirën e universiteteve dhe studentëve të tyre në rajon dhe ai është plotësisht në përputhje me misionin dhe mandatin e EUA-së në promovimin e një arsimi të lartë evropian koherent dhe një fushe hulumtimi koherente ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e EUA-së, Lesley Wilson.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA