
Do kenë një muaj kohë për t’u pajisur me dokumente të rregullta qendrimi emigrantët ilegalë me banim në Itali që kanë një punëdhënës të gatshëm të vetëpaditet dhe të paguajë një gjobë prej një mijë eurosh.
Nga 15 shtator deri më 15 tetor qeveria italiane parashikon një periudhe pezullimi të ligjit që ndëshkon ata që kanë marrë në punë emigrantë pa dokumenta dhe praktikisht ka aprovuar një legalizim që pritej prej shumë kohësh.
Procedura parashikon legalizimin e të huajve që kanë jetuar në Itali prej të paktën 31 dhjetorit të vitit 2011, gjë që do t’i duhet ta vërtetojnë me çdo lloj akti, qoftë edhe me një gjobë të thjeshtë, abone apo çdo lloj dokumenti tjetër. Janë të përjashtuar nga kjo mundësi të huajt që konsiderohen kërcënim i rendit publik apo të sigurisë, e ata që kanë marrë dëbim për këtë arsye.
Punëdhënësit italianë dhe të huaj nga ana e tyre duhet të paraqesin kërkesë për të huajt që kanë marrë në punë prej të paktën tre muajve me kohë të plotë me përjashtim të punonjësve shtëpiakë që mund të legalizohen edhe në rast pune me kohë të pjesshme.
Kostoja e legalizimit për çdo emigrant të punësuar në të zezë është një mijë euro dhe punëdhënësi duhet të dëshmojë se ka paguar rregullisht të gjitha detyrimet e tjera. Përjashtohen punëdhënësit që gjatë pesë viteve të fundit janë dënuar për favorizim apo shfrytezim të emigracionit klandestin, për shfrytëzim të të miturve dhe të prostitucionit.
Teorikisht nga ky legalizim mund të përfitojnë rreth gjysmë milionë emigrantë ilegalë, por praktikisht jo të gjithë do të kenë mundësi të përmbushin kushtet. Megjithatë edhe nëse legalizohet vetëm gjysma e tyre, në arkat e shtetit do të hyjnë 2.5 miliardë euro, një shumë e konsiderueshme në këtë kohë krize.
Top Channel