Kosova dhe Bashkimi Europian janë në fazën e komunikimit për të rregulluar prezencën e misionit europian, EULEX-it, deri më 2014 në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar gjatë së enjtes se janë duke bërë këmbim të letrave me Brukselin zyrtar, por ka ripërseritur se misioni europian nuk do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

“Këto ditë janë duke ndodhur letërkëmbime mes qeverisë dhe BE-së, sa i përket rolit të misionit e mandatit të EULEX. E qartë është që s’do të ketë përfshirje të tij në kushtetutë, por në fund vendimi do të merret nga Parlamenti i Kosovës, përsa i përket statusit të misionit deri në vitin 2014”, tha kryeministri Thaçi.
 
Këtë deklaratë kryeministri Thaçi e bëri gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, kurse në një konferencë për media, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi i deklaroi se nuk ka presion nga ndërkombëtarët që të ketë dialog për veriun.

“Për Kosovën, fati ynë i madh është se që prej vitit 1998, fryma e zhvillimeve ndërkombëtare ka qenë në kahje të njëjtë me interesat shtetërore të Kosovës. Merita jonë ka qenë ruajtja e kohezionit kombëtar dhe partneritetit ndërkombëtar, prandaj duhet të vazhdojmë të ruajmë të njëjtën kohezion dhe partneritet”, theksoi Kuçi.

Kuçi komentoi edhe paralajmërimin e Sekretarit të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili pritet të vijë në Kosovë javën e ardhshme. Sipas Kuçit ky është një lajm i mirë për rajonin dhe se nuk duhet ndërlidhur me ndonjë paragjykim tjetër.
 
Ndërkaq, pas shkrimeve në media se pjesë e koalicionit qeverisës mund të bëhet partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe më pas do të fillonte dialogu për veriun, Kuçi ka thënë se ky është spekulim mediatik.

“Është një çështje krejtësisht spekulative. Veriu dhe integrimi në BE janë çështje që i përkasin politikës dhe jo interesave partiakë, prandaj nuk mund të ketë një kushtëzim të këtyre dy çështjeve me asgjë tjetër. Mund t’iu siguroj ndërkohë se nuk kemi menduar asnjë koalicion tjetër, pasi ai që kemi në fuqi është duke funksionuar shumë mirë”, komentoi zëvendëskryeministri Kuçi.

Vete kryetari i njërës prej partive të koalicionit PDK AKR,  Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk i intereson nëse prishet koalicioni aktual.

Ndersa vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se bashkëpunimi i tij me partnerët e koalicionit është i shkëlqyeshëm dhe shkrimet në media për ndryshim të koalicionit qeverisës, sipas tij, janë të paqëndrueshme.

Top Channel