
Flokë të gjata, kapele në kokë, size, t-shirt, pantallona të shkurtëra dhe atlete. Autoritetet bullgare shpërndanë pamjet e një kamere sigurie në aeroport ku tregohet atentatori i sulmit kamikaz mbi autobusin me turistë izraelitë.
Bëhet fjalë për pamje të regjistruara në aeroportin e Burgasit, në brigjet e Detit të Zi dhe pak minuta para se atentatori të merrte autobusin ku ndodheshin edhe turistët izraelitë dhe më pas të shpërthente. Nga shpërthimi mbeten të vrarë 8 persona dhjetra të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Autoritetet mendojnë se sasia e konsiderueshme e eksplozivit ka qenë e fshehur në çantën e shpinës së atentatorit dhe për këtë kanë nisur një hetim mbi kontrollorët e sigurisë në aeroport për të zbardhur mënyrën se si ky persona është lënë të “shëtisë” i qetë me eksploziv.
Menjëherë pas sulmit Izraeli akuzoi Iranin dhe shërbimet sekrete të tij se qendronin pas sulmit, por Teherani zyrtar mohoi se kishte gisht në ngjarje duke deklaruar se vrasja e personave të pafajshëm është kundër parimeve të këtij shteti.
Top Channel