
Shpërthimi në autobusin me turistë izraelitë në lindje të Bullgarisë
është shkaktuar me siguri nga një atentator vetëvrasës me dokumente të
falsifikuara amerikane.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Të paktën tetë persona humbën jetën dhe 34 të tjerë mbetën të plagosur kur autobusi shpërtheu në aeroportin e Burgasit.
Izraeli ka dërguar avionë me mjekë të specializuar për në Burgas, si dhe autoritete të tjera për të siguruar kthimin e trupave të viktimave dhe të të plagosurve në atdhe.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak deklaroi se lëvizja libaneze Hezbollah ishte autori direkt i atentatit, që ka vepruar në bazë direktivave të Iranit.
Korrespondenti i BBC në Jeruzalem, Jon Donnison thotë se sulmi mund të jetë pjesë e një lufte të fshehtë por të egër mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas tij, mes shumë analistëve ekziston mendimi se ky sulm mund të jetë një përgjigje ndaj një seri sulmesh të kryera së fundmi ndaj disa shkencëtarëve bërthamorë iranianë.
“Të gjitha provat të çojnë drejt Iranit. Izraeli do t’i përgjigjet fuqishëm terrorizmit iranian”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të bërë të mërkurën.
Ndërkohë, ministri Barak tha se sulmi nxorri në dritë përpjekje të kryera së fundmi ndaj objektivave izraelitë në Indi, Tajlandë, Azerbajxhan, Kenia dhe Qipro.
Top Channel