
Dy kundërshtarët politikë, Branko Cërvenkovski i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe Menduh Thaçi, i Partisë Demokratike Shqiptare, janë ulur bashkë për herë të parë të mërkurën për të zyrtarizuar bashkëpunimin mes subjekteve që drejtojnë, për zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2013.
Bllokimi i proçeseve euroatlantike, situata e rëndë ekonomike dhe mungesa e demokracisë në vend kanë qenë ndër shkaqet kryesore për afrimin e dy liderëve të cilët pretendojnë të fitojnë në zgjedhjet lokale dhe të delegjitimojnë, siç e quajnë ata, politikën e gabuar të qeverisë.
“Sot, për herë të parë në historinë e Maqedonisë, arrihet një marrëveshje parazgjedhore mes një partie maqedonase dhe një partie shqiptare. Bëhet fjalë për bashkëpunim teknik, për përkrahje të ndërsjelltë të kandidatëve për kryetar komunash në zgjedhjet e ardhshme locale. Megjithatë, mendoj se bëhet fjalë për diçka të re shumë pozitive në skenën politike dhe në raportet politike në Maqedoni”, deklaroi Cervenkovski.
Ndërsa Menduh Thaçi pret që bashkëpunimin mes dy partive opozitare qytetarët e Maqedonisë ta mbështesin në masë të madhe. Kreu i PDSH-së iu përgjigj edhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili një ditë më parë tha se Thaçi është futur në koalicion me opozitën maqedonase nga frika e humbjes në zgjedhjet lokale.
“Mu duk shumë cinike dhe qesharake deklarata e zotit Ahemti, se une frikësohem se do t’i humb zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe për këtë arsye kam bërë marrëveshje me LSDM-në. Ndoshta mund të jetë edhe kështu, por unë kam një pyetje për të, prej çka frikësohet ai që vazhdon të rrijë në koalicion me VMRO-në dhe Nikolla Gruevskin? Apo ai është vetëm trimi i madh që i nënshtrohet vetëm faljes që i bëri Gruevski me ligjin për amnesti”, theksoi Thaçi.
Gjatë konferencës së përbashkët për media, Thaçi dhe Cërvenkovski pranuan se edhe përkundër arritjes së marrëveshjes për bashkëpunim në zgjedhjet lokale, mes tyre ekzistojnë dallime të thella sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Top Channel