
Në një situatë kur siguria e zyrtarëve të lartë sirianë është cënuar, presidenti Bashar al-Assad nuk mund t’i lejonte vetes zvarritjen e emërimit të Ministrit të ri të Mbrojtjes pas vrasjes së Dawood Rajiha nga një sulm vetëvrasës.
Mediat shtetërore lajmëroi në Damask emërimin e kolonelit Fahd Jassem al-Fraij në krye të dikasterit të mbrojtjes, një detyrë kjo aspak e lehtë për ushtarakun e lartë, të njohur si besnik i Assad pasi lufta tashmë ka mbërritur tek portat e kryeqytetit sirian.
Ndërkohë, fraksione të armatosura të opozitës dhe një grup xhihadist kanë marrë përsipër sulmin kamikaze që vrau ish-ministrin e Mbrojtjes, Rajiha dhe deputetin, njëkohësisht kunati i Assad Assef Shawkat.
Sulmi u krye në orët e para të mëngjësit të së mërkurës dhe paralajmëroi një tjetër ditë të përgjakshme dhe me luftime në Damask. Opozitarët e armatosur pretendojnë se kanë sulmuar me mortaja dhe shpërthime edhe pallatin presidencial ku mendohet se strehohet Assad dhe familja e tij. Por këto pretendime u hodhën poshtë nga media shtetërore dhe zyrtarët e lartë sirianë të cilët thanë se situata rreth pallatit presidencial dhe në lagjet kryesore në Damask është nën kontroll.
Qeveria akuzon bandat terroriste për dhunën në periferitë e kryeqytetit, ndërkohë që dezertimet brenda ushtarakëve sa vijnë e shtohen. Turqia lajmëroi strehimin e 2 ushtarakëve të lartë sirianë të cilët dezertuan, kaluan kufirin dhe kërkuan azil në fqinjin perëndimor.
Top Channel