
Prokurorët e Palermos në Itali, kanë thirrur për të marrë në pyetje ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi dhe vajzën e tij Marina, në kuadër të një hetimi për zhvatje të bërë në dëm të tyre nga ana e senatorit Marcello Dell’Utri.
Ish-kryeministri ishte thirrur për t’u marrë në pyetje ditën e hënë, si person i dëmtuar, por nuk është paraqitur pasi merrte pjesë në një seminar ekonomik. Ndërkohë, vajza e tij duhet të paraqitet më 25 korrik.
Sipas raportimeve të së përditshmes “La Repubblica”, hetuesit donin të dëgjonin Berlusconi-n për të zbuluar më shumë mbi marrëdhëniet e dyshuara të senatorit Dell’Utri dhe eksponentëve mafiozë.
Prokurorët janë gjithashtu të interesuar t’i kërkojnë ish-kryeministrit llogari për disa shpenzime të bëra për llogari të Dell’Utri apo personave të tjerë në vitet e fundit.
Mes këtyre përfshihet edhe bleraja e një vile në liqenin e Komos për një shumë prej 21 milionë eurosh, ndërkohë që vlera e kësaj pasurie ishte rreth 9 milionë euro.
Në hetim, sipas së përditshmes, janë të përfshirë edhe ish-ministri Nicola Mancino, senatori Calogero Mannino dhe gjeneralët e karabinierëve Mario Mori dhe Antonio Subranni.
Dell’Utri është dënuar më parë për pjesëmarrje të jashtme në organizatë mafioze, dënim i dhënë në apel por më pas i anuluar me shtyrje nga Gjykata e Kasacionit. Pikërisht sot, në Palermo rifilloi ky proçes.
Gjithësesi, gjasat janë që ky hetim, që po bëhet për një dëm të shkaktuar ndaj pronarit të “Mediaset”, ka gjasa të jetë një farsë pasi Dell’Utri ka qenë gjithmonë krahu i tij i djathtë dhe ka qenë i dyshuar si ndërmjetës në marrëdhëniet mes Berlusconi-t dhe mafias.
Top Channel