
Autoritetet hungareze vendosën nën pranga të dyshuarin për bashkëpunim në krimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Laszlo Csatary.
97-vjeçari ishte vendosur në majën e listës së të shumëkërkuarve të shoqatës së hebrenjve, “Simon Wiesenthal”, e specializuar në përndjekjen e kriminelevë të luftës.
I moshuari, i cili ka mohuar pjesëmarrjen në masakra, dyshohet se ka ndihmuar aktivisht nazistët në shfarrosjen e 15 700 hebrenjve.
Nëpërmjet një komunikate, shoqata bëri me dije se si “ka paraqitur prova të qarta prokurorisë së Budapestit, në lidhje me krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore nga i dyshuari Laszlo Csatary”.
Sipas institutit, Csatary shërbeu si një polic në qytetin sllovak të Kosices, në vitin 1941, duke ndihmuar në identifikimin dhe transportimin e hebrenjve në kampe shfarrosjeje.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Csatary gjeti strehim dhe jetoi për disa vite në Kanada, por pasi iu hoq nënshtetësia në vitin 1997, u zhduk për më shumë se një dekadë, përpara se të mësohej se ai ishte zhvendosur fshehurazi në kryeqytetin hungarez.
Në vitin 1948, një gjykatë në Çekosllovaki e dënoi atë me vdekje në mungesë, por vendimi nuk u zbatua asnjëherë.
Sipas të dhënave paraprake, Csatary do të ndiqet për akuzën e krimeve të luftës, ndonëse zyrtarisht ai figuron vetëm i ndaluar, gjatë periudhës që do të merret në pyetje.
Top Channel