“Vendi në krizë, mbreti në dietë”. Në paketën e masave shtrënguese të kryeministrit Mariano Rahoi nuk ishte përjashtuar familja mbretërore e Spanjës.
Mbreti Huan Karlos do të zbresë gjatë këtij viti, mbi 100 mijë euro nga buxheti i pallatit prej 8.3 milionë eurosh. Rroga e tij do të pakësohet me 7.1 %, po kështu edhe e ajo e princit të Asturias, Felipe. Thuajse në të njëjtën përqindje do të shkurtohen shpenzimet e përfaqësimit për pjesën tjetër të familjes mbretërore.
Popullariteti i saj po binte muajt e fundit, pas një seri skandalesh, ndërsa spanjollët po përballeshin me papunësinë në rritje dhe masat shtrënguese, si dhe paketën prej 65 miliardë eurosh që parashikonte shkurtime dhe rritje taksash, e shpallur nga qeveria Rahoi javën e kaluar.
Një prej skandaleve që tronditi jo pak oborrin e Huan Karlos ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar, kur Inaki Urdangarin, bashkëshorti i vajzës së vogël të Mbretit, Kristinës, u akuzua për vjedhje dhe përvetësim.
Por edhe vetë mbreti, Huan Karlos, i vlerësuar në Spanjë për rolin gjatë tranzicionit të vendit në demokraci, revoltoi jo pak qytetarët. Në muajin prill, ai shkoi për gjueti elefantësh në Botsvana, në një kohë kur një në katër spanjollë humbte vendin e punës dhe përballej me krizën ekonomike që kishte përfshirë tashmë vendin.
Top Channel