Aleanca Kuqezi reagoi për “censusin” paralel që pritet të organizojë organizata e mininoritetit grek Omonia, duke e cilësuar këtë iniciativë si një tentativë për të rritur artificialisht numrin e komunitetit grek në Shqipëri.

“Aleanca Kuqezi i bën thirrje qeverisë së Sali Berishës që të zbatojë ligjin dhe të ndalojë censusin e Vasil Bollanos, mik i ngushtë i kryeministrit. Aleanca Kuqezi dënon ashpër këtë iniciativë që ka si synim nxjerrjen e shifrave inekzistente për pakicat minoritare”, deklaroi në një konferencë për shtyp Fatilda Smajlaj, përfaqësuese e AKZ.

Aleanca Kuqezi tha gjithashtu se censusi i Pollos dhe Berishës dështoi sepse Greqia nuk u kënaq. Kjo parti akuzoi  kryeministrin Berisha se dërgoi në Athinë për “miratim” shifrat e regjistrimit.

“AKZ i bën me dije opinionit publik se censusi i Pollos dhe Berishës dështoi në përmbushjen e kërkesave të Athinës dhe për rrjedhojë, kur po bëhet 1 vit nga mbyllja e këtij proçesi, shqiptarët ende nuk kanë shifra të sakta të popullsisë”, theksoi Smajlaj.

“Kemi dëgjuar Berishën të flasë për rritjen e ndërtimit, apo punësimit, por s’e kemi dëgjuar në asnjë rast të flasë për detajet e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare”, shtoi përfaqësuesja e AKZ.

Organizata Omonia njoftoi më herët gjatë muajit se do të realizonte regjistrimin e saj vetëm për komunitetin grek në Shqipëri, pasi nuk njihte rezultatet e censusit të vitit 2011 për minoritetet, edhe pse këto rezultate ende nuk janë bërë publike nga INSTAT.

Kryetari i kësaj organizate, Vasil Bollano në një intervistë telefonike tregoi arsyet e këtij veprimi. “Edhe në vitin 2001 pati konseguenca me mënyrën e përgatitjes dhe është i njohur tashmë qëndrimi ynë. Edhe në vitin 2011 nuk u bë e mundur që të kemi një proçes, i cili do të zgjidhë problemet dhe kur themi do të zgjidhë problemet, nënkuptojmë që të jetë një proçes i besueshëm”, tha Bollano. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA