Qendra e kryeqytetit të Sirisë është shndërruar në një arenë luftimesh mes ushtrisë dhe kryengritësve, të cilët kanë ndërmarrë operacionin e quajtur “Vullkani i Damaskut”.
Të shtëna u raportuan në rrugët qëndrore dhe sheshin “Sabaa Bahrat” ku ndodhet Banka Kombëtare.
Beteja po përhapet në të gjithë Sirinë, por e përqendruar në Damask ku kryengritësit, të armatosur dhe më të organizuar, po përballen me ushtrinë dhe milicinë e regjimit.
Janë parë helikopterë luftarake duke lëshuar predha, për herë të parë prej marsit të vitit te kaluar. Kryengritësit i thanë agjensisë së lajmeve “Reuters” se kanë goditur dhe rrëzuar një helikopter në Kabun.
Ushtria e Lirë Siriane shpalli operacionin “Vullkani i Damaskut” dhe bëri thirrje për të intensifikuar sulmet kundër objektivave të regjimit dhe për të bllokuar rrugët kryesore në të gjithë vendin.
Një nga grupet opozitare më të mëdha dhe të organizuara në vend, “Vëllazëria Myslimane”, iu drejtua të gjithë sirianeve duke i kërkuar t’i bashkohen të ashtuquajturës “betejë vendimtare”.
“Assad, gati të përdorë armë kimike”
Politikani më i lartë sirian që u kthye në krahun e opozitës tha për BBC-në se regjimi i Assad nuk do të ngurrojë të përdorë armë kimike nëse do të ndodhet në pozicion të vështirë.
Navaf Fares, ish-ambasadori sirian në Irak, tha se njoftime të pakonfirmuara tregojnë se armë të tilla mbase mund të jenë përdorur tashmë.
Ai gjithashtu tha se shpërthimet e mëdha në të gjithë Sirinë janë orkestruar nga regjimi në bashkëpunim me Al-Kaedën.
Ndërkohë, i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe, Kofi Anan do të zhvillojë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin mbi gjendjen në Siri.
Rusia është një aleat kyç i Sirisë dhe takimi vjen mes presionit në rritje që ndëkombëtarët të hyjnë në veprim kundër vendit, i cili ka qenë në trazira që nga marsi i vitit të kaluar, kur një tentativë kryengritje kundër qeverisë së Presidentit Bashar Al-Asad filloi.
Top Channel