Siçilia rrezikon falimentimin

17/07/2012 21:00

Kryeministri i Italisë, Mario Monti, deklaroi se krahina e Siçilisë mund të shpallë falimentimin për shkak të borxheve që ka grumbulluar, ndërsa i kërkoi guvernatorit të rajonit që të japë dorëheqjen.

Në një deklaratë, Monti pranoi se ekziston një “shqetësim i thellë” rreth situatës financiare të ishullit, përkeqësuar nga kriza ekonomike botërore.

Kryeministri shtoi se i ka shkruar personalisht guvernatorit Raffaele Lombardo, në mënyrë që të konfirmojë dorëheqjen e tij brenda fundit të muajit.

Qeveria e drejtuar nga Monti është duke udhëhequr një program thelbësor kursimesh, në mënyrë që të mbajë nën kontroll buxhetin e shtetit, rënduar nga borxhi i lartë kombëtar.

“Zgjidhjet që po merren parasysh, të cilat kërkojnë një veprim të qeverisë qëndrore, nuk mund të ndërmerren pa arritur më parë edhe një mirëkuptim me pushtetin rajonal”, shkruante kryeministri në deklaratën e tij.

Siçilia, e cila gëzon një status të veçantë autonomie, ka grumbulluar borxhe prej rreth 5 miliardë eurosh dhe përballet me pagesa prej 500-600 milionë euro në vit, për të shlyer këstet.

Aktualisht, borxhi i Italisë kap një vlerë prej 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa ekonomia është duke përjetuar vitin e katërt të recesionit në dekadën e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA