
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Serbia që të tërheqë nga veriu i
Kosovës agjentët e saj policorë dhe të shpërbëjë strukturat paralele që
veprojnë atje.
Kështu shkruan e përditshmja serbe “Blic”, sipas të cilës ka qenë nënsekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon që gjatë vizitës së pak ditëve më parë në Beograd ka bërë këtë apel.
Sipas burimit, gjatë takimeve me presidentin Nikoliç dhe kryeministrin e ardhshëm Daçiç, Gordon ka shprehur vullnetin e SHBA për të ndihmuar Serbinë, por nga ana tjetër ka kërkuar ndërprerjen e mbështetjes për strukturat paralele serbe.
Gazeta, e cila citon zyrtarë serbë që kanë preferuar të ruajnë anonimatin, shkruan se zyrtarisht Serbia nuk ka forca sigurie në veri të Kosovës, por vetëm 300 deri në 400 punonjës të MUP-it.
Ndërsa shërbimet e huaja të inteligjencës vlerësojnë se në Kosovë janë vendosur nga 1 mijë deri në 2 mijë agjentë sekretë serbë.
“Zyrtarisht Serbia nuk ka forca sigurie në Kosovë, por ka zyrtarë të MUP-së, të cilët lëshojnë vetëm dokumente. Ndërsa vlerësimi se atje kemi deri në 2 mijë agjentë më duket pak i tepruar”, ka thënë një zyrtar serb.
Top Channel