Minatorët e Trepcës kërcënojnë me grevë ose marsh drejt Prishtinës sikurse në vitet e 90-të nëse nuk tërhiqet vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për emërimin e Eset Ujkanit ushtrues detyre i drejtorit në këtë ndërmarrje.

Kryetari i sindikatës së pavarur të punëotrëve të Trepcës Nezir Behrami tha për Top Channel, se rreth 600 punëtorë të Trepcës nuk kanë punuar të martën, ndërkaq ata do ta kalojnë natën në ambientet e minierës në shenjë proteste ndaj vendimit të AKP-së. Ai tha se janë në pritje të zyrtarëve qeveritar për të sqaruar emërimin e Eset Ujkanit.

“Sonte do ta kalojmë natën deri nesër paradite dhe jemi në pritje të qeverisë për sqarime. Ende nuk kemi hyre në greve, por do të hyjmë ose do të marshojmë në drejtim të Prishtinës nëse nuk merren parasysh vërejtjet tona” tha sindikalisti Nezir Behrami nëpërmjet telefonit. Ai shtoi se Eset Ujkani është i papërshtatshëm për të ardhmen e gjigantit metalurgjik Trepca dhe ka ardhur me prapavijë të keqe, që ta privatizojë më lehtë Trepcën.

Ardhja e Ujkanit në krye të Trepcës vjen pak ditë pas dorëheqjes së Ferat Shala nga pozita e drejtorit. Minatorët kanë propozuar tre emra të tjerë të cilët sipas tyre e njohin punën e minierave. Ata janë drejtori i departamentit për miniera dhe zhvillim Halil Çela, drejtori i flotacionit ne tunelin e pare Miftar Hyseni dhe drejtori në minierën e Stantergut, Beqir Maliqi.

Sipas sindikatës së Trepcës secili nga ta mund ta drejtojë Trepcen më mirë se i sapoemëruari Eset Ujkani i cili nuk e njeh këtë punë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA