Dy partitë më të mëdha të opozitës, PDSH në bllokun shqiptar dhe LSDM në bllokun maqedonas do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në zgjedhjet lokale të vitit 2013.
Partia Demokratike Shqiptare më në fund pranoi ofertën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë për bashkëpunim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Vendimi për përkrahje reciproke të kandidatëve në zgjedhjet lokale u soll të hënën nga Kuvendi Qendror i PDSH-së.
“Kuvendi qëndror i PDSH-së sot mori vendim që në zgjedhjet e ardhshme lokale të mbështes marrëveshjen mes kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaci dhe atij të LSDM-së, Branko Cërvenkovski për mbështetje reciproke të kandidatëve. Pra, në komunat ku nuk mund të fitojë kandidati maqedonas, LSDM-ja do të mbështesë kandidatin e PDSH-së, kurse në komunat ku nuk mund të fitojnë kandidatët shqiptarë, PDSH-ja do të mbështesë kandidatin e LSDM-së”, tha Luan Tresi, zëdhënës i PDSH-së.
Ky është bashkëpunimi i parë zyrtar për zgjedhjet lokale në Maqedoni mes një subjekti shqiptar dhe një subjekti maqedonas.
Bashkëpunimi mes partive politike para zgjedhjeve është cështje normale tha kryetari i Kuvendit Qëndror të PDSH-së, Arbër Xhaferi.
“Ekziston gatishmëria dhe një vizion i partive politike për bashkëpunim me opozitën ose pozitën. Këto cështje janë normale para zgjedhjeve mirëpo ne dëshirojnë të institucionalizojmë këtë në kuadër të parties”, deklaroi Arbër Xhaferi, kryetar i Kuvendit Qëndror të PDSH-së.
Sinjale për të bashkëpunuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë ardhur edhe nga partitë në pushtet, BDI dhe VMRO-DPMNE. Deri tani ka qenë praktikë që partitë shqiptare dhe ato maqedonase të bashkëpunojnë vetëm për formimin e Qeverisë, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Top Channel