
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
mbërriti të martën në Kosovë, pas lirimit me kusht nga Gjykata e Hagës.
Kështu bëri të ditur agjencia kosovare e lajmeve Kosovapress.
Haradinaj, mund të qëndrojë pranë familjes, deri në kohën e shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Gjykata e Tribunalit të Hagës, ndaj tij dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Ndryshe, koha e arritjes së Haradinaj në Prishtinë, nuk ishte bërë e ditur, për shkak të rregullave që kërkohen nga Tribunali i Hagës për lirim me kusht.
Haradinaj, ishte liruar me kusht edhe më parë gjatë këtij viti, por në qershor ishte rikthyer në Hagë për të marrë pjesë në rigjykimin e pjesshëm ndaj tij dhe dy bashkëluftëtarëve të tij. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haradinajt i ndalohet çdo kontakt me media, apo deklarimet publike.
Gjatë proçesit gjyqësor, mbrojtja kërkoi disa herë nga trupi gjykues që të mos i merrte parasysh dëshmitë për të cilat kishin konstatuar se ishin të mbushura me gënjeshtra, të bëra për përfitime personale.
Gjatë dy ditëve të mëhershme mbrojtja e Ramush Haradinajt paraqiti argumentet kundër pretencës së prokurorisë.
Ben Emerson, avokat i Haradinajt, i pati kërkuar gjykatës që të shikonte me kujdes çdo shënim të prokurorisë, sepse sipas tij, ishin citime të gabuara të dëshmive, ndërsa e paraqiti klientin e tij si luftëtar të ndershëm gjatë luftës dhe mbrojtës të minoriteteve pas saj.
“Jo çdo hero lufte është edhe kriminel lufte. Haradinaj është një njeri i ndershëm, që luftoi një luftë të ndershme”, tha Emerson.
Top Channel