“Saranda, shtëpia e pushimeve tuaja”. Me këtë moto erdhi në Kosovë kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i shoqëurar nga deputeti Taulant Balla, për t’u bërë thirrje qytetarëve nga Kosova që të zgjedhin jugun e Shqipërisë për pushimet verore.

“Saranda këtë vit është më e përgatitur se kurrë për të pritur mysafirë nga të gjitha vendet e botës. Është qyteti me plazhet më të kthjellta, me ujërat e jodizuara dhe kurative kur të vini në plazhin e Sarandës. Por, është njëkohësisht qyteti që ofron mundësi pushuese për çdo pushues të çdo lloj kategorie”, tha Stefan Çipa, Kryetar i Bashkisë Sarandë.
 
Gjatë së martës z. Cipa  zhvilloi një takim me kryetarin e Bashksië së Prishtinës, Isa Mustafa i cili tha se duhet të ndihmohet turizmi në Shqipëri nga Kosova, por edhe anasjelltas.
 
“Shfaqa gatishmërinë e plotë të Prishtinës që të bashkëpunojë me Sarandën ashtu siç jemi të interesur të bashkëpunojmë në tërësi me Shqipërinë. Në kohën që zhvillohet turizmi në Shqipëri ne të ndihmojmë këtë turizëm duke orientuar qytetarët tanë atje dhe në kohën kur Kosova ka përparësitë e veta turistike të kemi turistë nga Shqipëria”, tha Isa Mustafa, Kryetar i Komunës së Prishtinës.
             
“Ndamë të njëjtin mendim që Prishtina dhe gjithë Kosova të frekuentojnë bregdetin e bukur shqiptar dhë në mënyrë të veçantë atë të Sarandës. Gjetëm tek z. Mustafa një partner të rëndësishëm të zhvillimeve turistike në bregdetin shqiptar”, deklaroi Taulant Balla, Deputet i PS në Kuvendin e Shqipërisë.
 
Kryebashkiaku Çipa, i cili gjatë ditës është takuar edhe me ministrin e Sportit dhe Kulturës, Memli Krasniqi, duke folur para gazetarëve në Prishtinë njoftoi se vetëm vitin e kaluar janë regjistruar rreth 500 mijë turistë në Sarandë, ndërsa këtë vit presin që të tejkalohet kjo shifër.
 
Sipas tij në Sarandë gjen çmime konkurruese për të gjitha shtresat, duke filluar nga 20 euro, dhe variojnë në çmimet më të larta, në bazë të kërkesës dhe cilësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA