
Ministri kosovar i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, raportoi për numrin e agjentëve serbe në veriun e Kosovës, por pranoi se nuk ka asnjë mundësi të ndërmarrë ndonjë aksion për dëbimin e tyre.
I pranishëm në një konferencë për shtyp të policisë së Kosovës, ministri Rexhepi nuk i përjashtoi informacionet se numri i agjentëve serbë në veri të Kosovës mund të arrijë deri në 1600.
Prania e agjentëve të Ministrisë së Brendshme serbe në veri është denoncuar shpesh në shtypin kosovar, teksa protagonizmi i tyre theksohet sa herë veriu tensionohet.
“Strukturat e “Mup”-it janë ilegale dhe aty ku kemi mundësi do t’i deportojmë, por varet kë konsiderojnë si agjent. Këta e kanë mbrojtjen civile, të cilën e kanë një organizim ku i kordinojnë e si numer mund të jetë 1600. Ata kryesorët që veprojnë janë 200-400, që janë pjestarë të “Mup”-it qoftë ata kosovarë apo serbë”.
Rexhepi u pyet nga gazetarët edhe për daljet e shpeshta publike, veçanërisht në konferencat e policisë, diçka që nuk e kishte bërë më përpara.
Ai mohoi se kjo ka ndonjë prapavijë tjetër, siç do të mund të ishte largimi i tij nga posti i ministrit në kuadër të ndryshimeve qeveritare. Sipas Rexhepit, e vetmja arsye është demonstrimi i mbështetjes politike për policinë e Kosovës në aksionet e tyre për krijimin e shtetit ligjor.
Top Channel