Tragjedia e Shëngjinit, i jepet lamtumira viktimave

16/07/2012 00:00

Dy nga viktimat e krimit në familje që ndodhi mëngjesin e së shtunës në
qytetin e Shëngjinit janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa
Luigi Benincasa do të varroset në shtetin fqinj. Sandër dhe Dana Ndoj,
motër e vëlla, janë varrosur rreth orës 15:00, e ndërsa ceremonia ka
qenë tepër pikëlluese për familjarët dhe të afërmit.

Megjithëse me akuza të forta ndaj saj, Mimoza Ndoj, bashkëshortja e Sandrit, ka qenë prezente në ceremoninë mortore së bashku me dy fëmijët, por pa pasur kontakte me kunatat, të cilat e akuzojnë si shkaktare të tragjedisë në familjen e tyre, që përfundoi me tre të vdekur dhe një fëmijë të plagosur rëndë. Gjatë ceremonisë, asnjë reagim nuk ka ardhur në drejtim të saj, kjo për faktin që të lejohej për t’i bërë nderimet e fundit bashkëshortit të saj.

Banorë të Shëngjinit, ashtu si edhe të afërm të viktimave, kanë shprehur habinë e madhe të asaj çfarë ndodhi mëngjesin e së shtunës, duke e konsideruar aktin vrasës dhe vetëvrasës të Sandër Ndojt, si të papritur. Askush prej tyre nuk e kishte menduar një fund të tillë kaq tragjik.

Por, ajo që ka rënë në sy gjatë kësaj ceremonie, është fakti që menjëherë pasi ka varrosur bashkëshortin, Mimoza Ndoj është larguar për në banesën e saj, ndërsa familjarët e tjerë të Sandrit dhe Danës kanë vijuar me pritjet e vizitave, në shtëpinë e ndërtuar pak metra larg banesës, që ka shërbyer si mollë sherri mes kunatave, që më pas solli edhe krimin monstruoz. Mëngjesin e së shtunës, rreth orës 6:30 minuta, efektivi i burgut të Shënkollit, Sandër Ndoj, pati një debat me motrën e tij, Dana Ndoj, e cila i ofendoi gruan, pas një sërë debatesh të tjera, ku ndër to ishte edhe çështja e pronësisë së shtëpisë. Diskutimi mes tyre u kthye në një debat të ndezur, e në këtë kohë Sandër Ndoj qëlloi më armën e shërbimit mbi motrën e vet, Dana Ndoj, kunatin italian, e plumbat nuk u kursyen edhe ndaj vogëlushit Marco Benincasa. Pasi kreu krimin, në tronditjen e pësuar nga vrasjet, Sandër Ndoj do të zhvendosej rreth 15 metra nga vendi i krimit për t’u mbyllur në dhomën e ndërtuar për ta dhënë me qira gjatë sezonit turistik, e po me të njëjtën armë, qëlloi edhe veten. Gjithçka ka ardhur pas një konflikti 10-vjeçar që kishin mes tyre motër e vëlla. Familjarët kanë hedhur fajin mbi Mimozën, ndërsa banorët fajësuan Danën e vrarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB