Kukës, u vjedh çantën me bukë turistëve

16/07/2012 00:00

Dy turistë holandezë, ndërsa kishin ngritur tendën buzë autostradës për
të pushuar në xhiron e tyre me biçikleta, janë vizituar nga një
18-vjeçar, i cili më pas i ka vjedhur.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kolsh, ndërkohë që policia arriti të kapte autorin e vjedhjes. Sipas dëshmisë që kanë lënë vetë të dëmtuarit, dy shtetas me inicialet M. H. 30 vjeç, dhe A. C. gjithashtu 30 vjeç të dy të lindur në Kanada dhe banues në Damstrat të Holandës, 18-vjeçari me emrin Fasli Truni është afruar miqësisht, duke treguar se dinte ndonjë fjalë anglisht, por më pas, siç duket është tërhequr nga çanta e mbushur me ushqime dhe e ka fshehur në shkurre dhe më vonë e ka çuar në shtëpi.

Pak pas largimit të 18-vjeçarit, turistët kanë diktuar se u mungon pikërisht çanta e ushqimeve dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Njoftimin ia kanë bërë me gojë një efektivi blu në rrugë, pasi në vendin ku ka ndodhur ngjarja ka vazhdimisht patrulla policie, që monitorojnë aksin e autostradës. Duke u nisur nga përshkrimi fizik që kanë bërë turistët policia ka arritur në pak orë të identifikojë autorin, i cili banon në Fushë-Kalimash, jo shumë larg vendit ku të huajt ishin stacionuar për të pushuar. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti çantën e të huajve me disa mangësi ushqimesh të konservuara dhe ua ktheu të zotëve, ndërsa autorin e ka arrestuar në flagrancë, i cili tashmë do të përballet me hetimin e prokurorisë me akuzën e vjedhjes.

Ndonëse të rralla, në zonat e thella rurale nuk kanë munguar edhe grabitjet me armë të turistëve të huaj siç ishte rasti i Ujmishtit, dy muaj më parë, ku dy të rinj kishin frikësuar çiklistët, duke u marrë kamerat dhe sende të tjera. Ngjarje të tilla fyejnë rëndë prestigjin e vendit dhe bien ndesh me kodin e vjetër shqiptar, sipas të cilit udha është e shenjtë e udhëtari nuk preket.

Top Channel