Policia e Kosovës duket se nuk ka çfarë të bëjë përballë aksidenteve të shtetasve të saj në rrugën e kombit, pavarësisht një marrëveshjeje me policinë e Shqipërisë për patrullim të përbashkët.

Marrëveshja nuk i lejon Policisë së Kosovës të vendosë rregulla shtesë përveç patrullimit të zakonshëm përgjatë autostradës.

Dhe kjo mund të jetë edhe më e komplikuar pasi prej dy javësh, sa ka filluar zbatimi i marrëveshjes, Policia e Kosovës ka dërguar vetëm 10 pjestarë të saj për patrullim në Shqipëri.

“Veprimet polciore janë në kuadër të marrëveshjes, ne nuk mund të dalim jashtë marrëveshjes që kemi të nënshkruar. Sa i përket vlerësimeve dhe masave shtesë, ajo është punë që nuk bie në domenin tonë dhe nuk mund ta komentoj, mirëpo ne jemi duke respektuar marrëveshjen. Marrëveshja na detyron që të kemi prezencë policore, të kemi patrullime të përbashkëta dhe të asistojmë në ato raste ku janë të përfshirë qytetarët e Kosovës”, deklaron Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Në krahasim me vitin 2011 statistikat tregojnë se numri i aksidenteve në territorin e Kosovës për gjashtëmujorin e parë është rritur me gjashtë për qind, ose 8.588 aksidente në rrugë, ndërkohë që është zvogëluar pak numri i aksidenteve me fatalitet.

Sidoqoftë, kjo nuk është për t’u lakmuar pasi sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Kosova ka pak kilometra rrugë të asfaltuara, rreth 2.500, për të pasur një numër kaq të madh të aksidenteve.

Këtij fenomeni pa dyshim i kontribuon edhe diaspora kosovare, e cila duket se nuk e merr me vete edhe shprehinë e drejtimit të automjetit me kujdes si në vendet ku jetojnë në emigracion.

Shqetësuese mbetet edhe përqindja e këmbësorëve dhe pasagjerëve të vdekur në raport me vendet europiane në të cilat këmbësoret përbëjnë më pak se 20 për qind të numrit të përgjithshëm të të vdekureve.

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrkturës shprehen se po punohet në disa projekte për vetëdijësimin e qytetarëve dhe krijimin e kulturës së lëvizjes në komunikacionin rrugor. Në të ardhmen kjo çështje do të bëhet pjesë e plan/programit mësimor për shkollat fillore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA