
Qeveria ka ngritur një agjenci të re brenda Ministrisë së Drejtësisë përmes të cilës shpreson të lehtësojë procedurat e falimentimit të bizneseve.
“Agjencia e falimentit do të lehtësojë zhvillimin e procedurave në gjykata për cështjet që kanë të bëjnë me deklarim falimenti, nëpërmjet licensimit të administratorëve të falimentit të cilët janë aktori kryesor në procedurën e falimentit”, thotë drejtoresha e Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit.
Licensimi dhe trajnimi i administratorëve nuk është funksioni i vetëm i agjencisë. Drejtoresha Prifti thotë se paralelisht do ketë ndërhyrje edhe për të përmirësuar procedurat.
“Është krijimi i standardeve kombëtare për administrimin e falimentit të cilat kanë si qëllim të tyre rregullimin e veprimtarisë së administratorëve të falimentit gjatë ushtrimti të veprimtarisë së tyre. Brenda veprimtarisë së administratorëve të falimentit do të ketë afate të përcaktuara për përgatitjen e cdo raporti që bën ai hap pas hapi në funksion të përmbushjes së detyrës”, thotë drejtoresha Prifti.
Në Shqipëri, falimentimi i një biznesi mund të kërkohet nga tatimet, kreditorët ose vetë ortakët e tij. Por vendimi përfundimtar i takon gjykatës, e cila pas shqyrtimit të cështjet vendos nëse, do të nis apo jo procedurat e falimentimit.
Mbyllja e bizneseve konsiderohet në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve si një nga pikat më problematike, që dëmton klimen e biznesit në vend. Sipas të dhënave zyrtare në 5 vitet e fundit në Shqipëri ka patur vetëm 300 raste të shqyrtuara për faliment dhe sërish shumica e tyre ende nuk kanë marrë zgjidhje përfundimtare ligjore.
Top Channel