
Tre operacione antidrogë janë realizuar të premten në Sarandë, Malësi të
Madhe dhe Itali, ndërkohë që në Lazarat, policia ka bllokuar vetëm një
kamionçinë, e cila ishte nisur për ujitjen e kanabisit.
Sipas të dhënave, operacionet kanë qenë të ndara, ndërkohë që sasia më e madhe është bllokuar nga Italia, pasi ka pikasur një gomone të nisur nga Shqipëria.
Lazarati
Në lidhje me Lazaratin, nga policia lokale mësohet se ka vijuar operacioni për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Dje, në orët e para të mëngjesit, forcat e Policisë së Gjirokastrës, mbështetur nga FNSH dhe Delta Forcë, në vendin e quajtur “Pularia”, në hyrje të fshatit Lazarat, kanë bërë bllokimin e dy kamionçinave, të cilat kishin ngarkuar cisterna plastike dhe transportonin ujë për kanabis në fshatin Lazarat. Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar edhe pompat që shërbenin për nxjerrjen e ujit nga puset. Më tej, policia shoqëroi tre shtetas, të cilët ishin punësuar për këtë aktivitet.
Sarandë
Operacioni i Policisë së Sarandës, i koduar “Plazhi i ri”, ka bërë të mundur ndalimin e dy personave, të cilët u kapën në flagrancë me lëndë narkotike. Burime zyrtare nga policia thanë se 56-vjeçari Nexhmi Nexhipi dhe 28-vjeçari Saimir Nexhipi, babë e bir të dënuar edhe më herët për vjedhje, janë kapur me 2.2 kilogramë kanabis dhe me 146 mijë lekë. Sipas informacioneve të marra në rrugë operative, mësohet se babë e bir tregtonin lëndën narkotike në zonën e plazhit në afërsi të portit në Sarandë.
Malësi e Madhe
Policia e Malësisë së Madhe ka asgjësuar 70 rrënjë kanabis gjatë një operacioni të zhvilluar dje. Operacioni është zhvilluar rreth orës 17:30 në fshatin Hot të Komunës Kastrat. Në vendin e quajtur “Kodra e Hanit”, në një zonë të pyllëzuar është gjetur një hapësirë e mbjellë me hashash. Toka rezulton të jetë pa pronar.
Itali
Ndërsa autoritetet italiane finalizuan një operacion antidrogë, dje në mesnatë, në Brindisi, duke sekuestruar rreth 250 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Mediat italiane bëjnë të ditur se droga u gjet në një skaf që ishte nisur nga ujërat shqiptare, ndërsa në pranga kanë rënë dy durrsakë. Mësohet se rreth orës 23:30, një helikopter i “Guardia di Finanza” që patrullonte në kanalin e Otrantos, pikasi një skaf 6 metra të gjatë, që po i afrohej Brindisit. Rreth orës 2:30, kur mjeti mbërriti në brigjet italiane, shqiptarët u përballën me karabinierët italianë. Ata zbuluan në skaf disa thasë me lëndë narkotike, që në total peshonin 250 kg. Sipas mediave italiane, dy trafikantët nga Durrësi, përkatësisht 32 dhe 25 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, u arrestuan nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të substancave narkotike.
Top Channel