Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi mohoi sërish idenë për ndarjen e veriut të vendit. Në mbledhjen e qeverisë ai tha se i vetmi projekt i qeverisë është integrimi i veriut.

“Ritheksojmë dhe garantojmë qytetarët, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, se qëllimi ynë është projekti integrues dhe për këtë nuk do të ndikohemi nga askush dhe asnjë rrethanë. Nuk do të ketë as status special, as status të veçantë, as autonomi e as ndarje”, deklaroi Thaçi.

Në këtë kuadër zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi njoftoi se Zyra Administrative ne veri ka filluar së funksionuari këtë javë.

“Zyra ka filluar punën, megjithatë ajo ka nevojë të jetë më operacionale. Kryetari i komunës së Mitrovicës ka shprehur gatishmërinë për të punuar dhe po ashtu edhe ndërkombëtarët”, nënvizoi Kuçi.

Thaçi raportoi shkurt para kabinetit qeveritar edhe për takimin me shefin e NATO-s Anders Fog Rasmussen dhe ambasadorët e vendeve anëtare të Aleancës.

“Në takimin me ndërkombëtarët u konfirmua se që nga shpallja e pavarëisë Kosova si shtet është më ndryshe dhe se pavarësia e plotë nënkupton përgjegjësi të plotë. E ardhmja e FSK-së do të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën tonë, si dhe me dokumentin ‘Ahtisari’”, theksoi Thaçi.

Thaçi bëri të ditur se faktori ndërkombëtar ka ngritur çështjen e mundësisë së vazhdimit të dialogut teknik me serbinë. Diçka e tillë sipas tij nuk do të ndodhë pa u përmbushur marrëveshjet të cilat janë arritur.

Në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës, Thaçi shprehu ngushëllime për familjet e prekura nga kjo tragjedi. Ai ftoi lidershipin aktual në Serbi, presidentin Nikoliç dhe kryeministrin Daçiç që të distancohen nga ky veprim genocidial.

Kjo pasi, siç kujtoi Thaçi, lidershipi aktual në Serbi ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me kryesit e masakrës së Srebrenicës.

Top Channel