Një makineri për prodhimin e dokumenteve false të identifikimit si: pasaporta, letërnjoftime, leje qëndrimi, kryesisht për shtetet e zonës Schengen, prej kohësh ka funksionuar në një banesë në Çagllavicë të Prishtinës.
Ndërkohë, për të marrë një dokument të tillë shtetasit e Kosovës kishin paguar deri në tre mijë euro.
“Pagesa ka qenë nga 2 në 3 mijë euro. Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Kosovës. Është edhe shteti i Maqedonisë që ka arrestuar disa për ne atje. Ishte një aksion i përbashkët, është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Shaban Guda, zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës.
Lidhur me këtë rrjet të falsifikatoreve policia kosovare ka arrestuar 9 persona të dyshuar, të gjithë shtetas të Kosovës. Ky grup kriminal dyshohet të jetë të përfshirë edhe me rrjete të ngjashme në shtetin maqedonas, ku dhe kanë nisur hetimet.
Megjithatë, policia nuk përjashton mundësinë edhe të përfshirjes së shtetasve shqiptarë të shteteve të tjera. Ky operacion i policisë u vlerësua lart nga ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi.
“Këta persona kanë bërë keqpërdorime ndaj njerëzve, i kanë mashtruar ata. Dhe kjo çështje ka qenë në qendër të çështjes së liberalizimit të vizave. Ky operacion ishte një sukses i madh në këtë drejtim”, tha Rexhepi.
Zyrtarë të lartë të hetimeve bënë të ditur se policia kosovare është duke vazhduar hetimet e saj në shumë çështje, që kryesisht kanë të bëjnë më trafikimin e qënieve njerëzore dhe rrjetet kriminale të prostitucionit.
Top Channel