
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka ftuar Hajredin Kuçin që të
kthehet në qeveri, pas dorëheqjes nga posti i zëvëndëskryeministrit dhe
ministrit të Drejtësisë.
Në komunikatën dërguar mendiave thuhet se: “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shqyrtuar shkaqet e ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, e ofruar më datë 22 qershor, dhe konstaton se shkaqet që kanë çuar deri tek dorëheqja tani nuk ekzistojnë më”.
“Kryeministri Thaçi fton zëvendëskryeministrin Kuçi që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në qeverinë e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.
Ndërkohë, Kuçi i është përgjigjur në mënyrë pozitive ftesës së Thaçit, duke u rikthyer menjëherë në dy detyrat e tij dhe duke nisur zbatimin e axhendës së tij, bën të ditur “RTK”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë kishte dhënë dorëheqjen pasi Parlamenti kishte miratuar Kodin Penal, me disa nene që cënojnë lirinë e medias.
Pesë ditë më parë, Kuvendi i Kosovës i dha dritën jeshile shfuqizimit të neneve, 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal, të cilat ishin kundërshtuar nga mediat dhe shoqëria civile.
Top Channel