Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i
Bujqësisë, Blerand Stavileci, kanë parë nga afër se si po shkojnë korrje
– shirjet e këtij viti.
 

Gjatë së martës ata vizituan fermerin Valon Vehapi nga komuna e Lipjanit, i cili ka të mbjellë rreth 70 hektarë me grurë.
 
“Jam këtu për të uruar në emër të Qeverisë të gjithë bujqit kosovarë për sezonin e korrje-shirjeve. Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë afër bujqve me mbështetjen maksimale sipas mundësive dhe parametrave që kemi. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambar të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj më tutje bujqit”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

“Edhe këtë vit, sikurse viti i kaluar, krahasuar me shtetet e rajonit, ne jemi në një avantazh sa i takon rendimenteve. Ne kemi kryer detyrimet tona, kemi ekzekutuar pagesat për rreth 9 mijë fermerë të cilët mbjellin grurë. Siç e dini ne kemi vënë një kriter që ka qenë pagesa prej 100 euro për hektarë, po ashtu kemi subvencionuar derivatet e naftës”, tha ministri Stavileci.
 
Në anën tjetër, fermeri Valon Vehapi tha se ky vit është për ta mbajtur në mend për nga rendimentet.
 
“Ne bujqit jemi të kenaqur me rendimentin këtë vit. Është vit për të mos u harruar për një kohë të gjatë, për arsye se këtë vit jemi diku te 5 500 – 6 000 kg për hektarë”, thotë bujku.
 
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit në Kosovë janë mbjellë me grurë rreth 84 mijë hektarë, apo 6 mijë më shumë se vitin e kaluar.
 
Kosova ka nevojë për rreth 410 mijë tonë grurë gjatë vitit dhe nevojat me prodhim vendas plotësohen me rreth 80 përqind.
 

Top Channel