Deputetët shqiptarë të opozitës në Shkup ndjehen të diskriminuar pasi fjalimet e tyre në kanalin televiziv të Kuvendit të Maqedonisë transmetohen me përkthim në gjuhën maqedonase.
Sipas opozitës përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka kurrfarë efekti, pasi qytetarët nuk mund të ndjekin fjalimet e të zgjedhurve të tyre në shqip.
Në shenjë revolte, në cdo seancë parlamentare Partia Demokratike Shqiptare është duke kërkuar nga një orë pauzë, për të sensibilizuar opinionin me këtë padrejtësi që ju bëhet deputetët shqiptarë.
Ymer Aliu, deputet i PDSH-së:
“Ne do të vazhdojmë që për cdo ditë të kërkojmë pauzë dhe do të vazhdojmë edhe me metoda tjera që shumë shpejt do të bëhen publike , krejt kjo me qëllim që përfundimisht shqiptarët fjalimet tona t’i ndjekim në gjuhën shqipe dhe përfundimisht kjo padrejtësi që i bëhet secilit shqiptar të marrë fund”.
Nga mazhoranca thonë se problemi me transmetimin e fjalimeve të deputetëve është teknik dhe jo politik.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të kanalit të Kuvendit, deputetët e shumicës propozuan formimin e një grupi të posaçëm pune për zgjidhjen e këtij problemi, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga opozita shqiptare e cila vlerëson se formimi i grupeve të punës në Kuvendin e Maqedonisë bëhet gjithmonë për të zvarritur zgjidhjet e problemeve.
Kërkesa e opozitës për transmetimin e fjalimeve të deputetëve në gjuhën amëtare është vlerësuar si e drejtë edhe nga analistët shqiptarë dhe ekspertët për çështje juridike.
Top Channel