Nënsekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon viziton sot Kosovën ku do të takohet me krerët e shtetit.

Sipas raportimeve të “REL”, Gordon do të takohet me presidenten Jahjaga, me të cilën rreth orës 16:00 do të mbajë edhe një konferencë për shtyp.

Gjithashtu, sipas axhendës së publikuar javën e kaluar nga ambasada amerikane në Prishtinë, Gordon do të zhvillojë edhe një vizitë në veri të Mitrovicës, ku do të takohet me krerët e misioneve KFOR dhe EULEX.

Javën e kaluar zyrtari i lartë amerikan ishte në Kroaci, prej nga i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Duke folur nga samiti i Dubrovnikut, Gordon nënvizoi se Kosova tashmë është një shtet konkret ka përjashtuar opsionin për ndarjen e saj.

“As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Ajo nuk do ta bëjë këtë. Megjithatë, Serbia duhet të kuptojë realitetin se Kosova është një vend demokratik, sovran, i pavarur e multietnik brenda kufijve aktualë. Ndarja e saj nuk është opsion“, deklaroi Gordon.

Duke shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj aspiratave integruese të Kosovës dhe Serbisë, Gordon kërkoi nga kjo e fundit që të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Beogradi duhet t’i japë fund mbështetjes së strukturave ilegale të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë”, pohoi Gordon.

Top Channel