Largohen nga postet qeveritare edhe dy anëtarë të kabinetit qeverisës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në mandatet e kaluara, Bujar Bukoshi dhe Astrit Haraçija i kanë ofruar dorëheqjen kryeministri Hashim Thaçi me qëllim të krijimit të hapësirës për organet e drejtësisë për të kryer misionin e tyre.  

Lajmin e bëri të ditur qeveria e Kosovës. Në komunikatën për media thuhet se “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar sot zyrtarisht kërkesën për lirimin nga detyra të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, dhe lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Astrit Haraçija deri në përfundimin e procesit gjyqësor.”

Bujar Bukoshi dhe Astrit Haraçija janë pjesë e listës Dr. Ibrahim Rugova e themeluar në prag të zgjedhjeve të 2010-s nga Ukë Rugova, djali i presidentit Ibrahim Rugova. Ata hynë në koalicion qeverisës me kryeministrin Thaçi, ndërkaq që pas gati dy vite pune në qeveri kryeministri i falenderon për punën e tyre duke theksuar se partneriteti me listën Dr. Ibrahim Rugova do të vazhdojë si në planin qeverisës, po ashtu edhe në atë politik.

Nga ana tjetër, në komunikatën e qeverisë citohen Bukoshi dhe Haraçija të jenë zotuar se do të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, të bindur në pafajësinë e tyre. Bujar Bukoshi dhe Astrit Haraqija akuzohen nga prokuroria speciale e Kosovës dhe ajo e qarkut të Prishtinës për shpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën sa Bukoshi drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe Haraçija Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
 
 

Top Channel