Kryetari i Kuvendit të  Kosovës, Jakup Krasniqi i cili ditën kur Atifete Jahjaga u zgjodh presidente nga Kuvendi kishte deklaruar  se ajo ka mandat 5-vjeçar, vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim.

Sipas Krasniqit marrëveshja politike ndërmjet liderëve Thaçi – Mustafa – Pacolli, përmes së cilës zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen në fund të 2012-ës, ishte jokushtetuese, ndërsa ka shtuar se u takon liderëve të tejkalojnë këtë situatë.

“Unë e kam thënë në fillim që marrëveshja ka qenë jo-kushtetuese. Sa i përket rezolutës që është miratuar në Kuvend asnjë rast rezoluta nuk mund ta ketë fuqinë ligjore më të fuqishme se sa Kushtetuta”, deklaron kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që thotë se Atifete Jahjaga ka mandat si Presidente deri më 2016, reagimet e subjekteve politike kanë vazhduar.
 
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës paralajmërojnë bllokadë të reformës kushtetuese, ndërsa deklarojnë se marrëveshja politike duhet të respektohet dhe ndihen të tradhëtuar nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili tha se mbështet vendimin e Kushtetueses.
 
“Vetë ngutia për të dalë për të përkrahë këtë mendim të Gjykatës e z. Thaçi për LDK-në tregon se mund të jetë një ndër lojtarët per me ndodhë kjo që po ndodhë… Për LDK-në marrëveshje o vlen në tërësi o nuk vlen fare… Nëse kjo nuk ndodhë atëherë sigurisht është vota ajo që do të vendosë dhe atëherë do të ketë bllokadë, nuk do të ketë mundësi të ecet më tutje”, tha kreu i grupi parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Edhe në partinë e Behxhet Pacollit, në Aleancën Kosova e Re, kërkojnë që marrëveshja e 6 prillit ndërmjet tre lidervë të respektohet, shpresojnë në vullnetin e Presidentes Jahjaga, që zgjedhjet presidenciale të mund të mbahen sipas kësaj marrëveshjeje.
         
“Ne shpresojmë akoma në vullnetin e mirë të Presidentes, se nuk ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese, por ka shpreh mendim… Në rast se mendohet që me një rezolutë apo me një marrëveshje është arritur që të shuhet një krizë politike e cila ka mund të ndodhë në prillin e vitit të kaluar dhe tash nëse nuk realizohet atëherë me shmangien e një krize dhe më një përfitimin e një krize tjetër nuk e di kujt i leverdis në Kosovë”, deklaroi Myzejene Selmani, kryetare e Grupit Kuvendor, AKR.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosoves shprehen se vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet.

“Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos që të respektoj vendimin e Gjykatës për shkak se një mosrespektim do ta sillte vendin në telashe edhe më të mëdha se sa është tani. Kosova prej dy viteve po menaxhon krizë dhe mendojmë se shpejt duhet të merren vendime që të dalim prej kësaj krize”, u shpreh Ardian Gjini, Kryetar i Grupit Kuvendor, AAK.

Marrëveshja politike Thaçi – Mustafa – Pacolli, e kthyer më vonë në Rezolutë të Kuvendit parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbahen 6 deri 9 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
 
Por, mbi këtë marrëveshje tashmë qëndron vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit ndërprerja e parakohshme e mandatit të Presidentes nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Top Channel