Koalicioni i ri qeverisës në Greqi ka fituar votëbesimin në Parlament, duke u dhënë fund kështu pasigurive politike që zgjasnin prej muajsh.
Koalicioni siguroi aprovimin e të gjithë deputetëve të tre partive anëtare të koalicionit, që synon ta mbajë Greqinë në euro.
Ministrat e eurozonës pritet të takohen ndërkohë në Bruksel për të diskutuar mbi zbatimin e masave për të cilat u ra dakord në samitin e qershorit, për të frenuar krizën e borxhit.
Ndasitë mes veriut dhe jugut të eurozonës ka ditë që kanë rënë në sy përsa i përket mënyrës së implementimit të vendimeve të arritura në këtë samit.
Gjatë takimit, liderët e BE-së ranë dakord për të përdorur fondin e ndihmës së eurozonës për të mbështetur bankat në vështirësi në mënyrë direkte, duke mos ndikuar tek borxhet e qeverive.
Spanja dhe Italia dëshirojnë që marrëveshjet të hyjnë në fuqi sa më parë të jetë e mundur, por shtete të tjera, në veçanti Finlanda dhe Holanda, janë kundër lëvizjeve drejt përgjegjësive kolektive për borxhet e vendeve të tjera.
Ditën e premte, kostoja e huave të Italisë dhe Spanjës u rrit ndjeshëm, duke u ngjitur në nivele të konsideruara nga ekspertët si të paqëndrueshme.
Ditën e shtunë kryeministri spanjoll Mariano Rajoy bëri apel për zbatimin sa më shpejt të jetë e mundur të marrëveshjeve të arritura në samitin e qershorit.
Top Channel